Histori Islame, Ligjërata dhe shkrime

Mësuesi dhe nxënësi – Bursa e parë studentore në historinë njerëzore

Imam #Ebu_Hanife رحمه الله
Mësuesi dhe nxënësi – Bursa e parë studentore në historinë njerëzore
Ebu Jusufi ishte një djalë i njomë dhe rridhte nga një familja e varfër. I ati e dërgonte në Pazar që të blejë e shesë, duke e penguar nga pjesëmarrja në mësimet e dijetarit të madh, Ebu Hanife, i cili e donte fort, pasi ishte shumë i zgjuar. Sa herë që Ebu Jusufi mungonte, Ebu Hanife pyeste rreth tij. Duke parë mungesat e përsëritura, Ebu Hanife vajti në shtëpinë e Ebu Jusufit dhe pasi u përshëndet me prindërit e tij, i pyeti:”Sa para fiton në ditë djali juaj?”
Babai iu përgjigj:”Dy dërhemë.”
Ebu Hanife i tha:”Do ti jap unë dy dërhemë në ditë, veç lëre të vijë të mësojë tek unë!”
Që atëherë Ebu Jusuf nuk iu nda Ebu Hanifes për vite të tëra, derisa hodhi shtat dhe mësoi shumë gjëra.
Një ditë, Ebu Jusufi sëmuret rëndë dhe nuk shkon në mësim. Të nesërmen Ebu Hanife shkoi dhe e vizitoi, por kur pa gjendjen e tij të rëndë, u demoralizua dhe u mërzit shumë. Teksa dilte jashtë shtëpisë, ai thoshte:”Ah Ebu Jusuf, Ebu Jusuf… shpresoja të më zëvendësosh mua në dije dhe të vazhdosh rrugën time pasi të vdes unë…”
Për fat, disa ditë më vonë Ebu Jusuf e merr veten dhe pasi lahet e pastrohet, niset të shkojë në xhami, tek mësuesi i tij.
Njerëzit e pyetën:”Ku po shkon kështu?”
Ai u përgjigj:”Të kërkoj dije tek Ebu Hanife.”
Ata i thanë:”A akoma kërkon dije tek të tjerët? A nuk e dëgjova çfarë tha për ty vetë Ebu Hanife kur u largua?”
Ebu Jusufi i pyeti:”E çfarë paska thënë?”
Ata i thanë:”E dëgjuam me veshët tanë të thotë:” Shpresoja të më zëvendësosh mua në dije dhe të vazhdosh rrugën time pasi të vdes unë…” Kjo do të thotë që ti i ke nxënë të gjitha dijet e Ebu Hanifes dhe nëse do të vdiste sot, ti do të vazhdoje ti mësoje njerëzit në vend të tij.”
Nga këto fjalë, Ebu Jusufit i hyri vetja në qejf, prandaj dhe u nis drejt xhamisë. Me të hyrë brenda dalloi mësuesin e tij Ebu Hanifen duke u mësuar të rinjve dije. Ai vetë shkoi në anën tjetër të xhamisë dhe u ul duke u dhënë mësim të rinjve që arriti të mbledhë.
Ebu Hanifes nuk i humbi kjo lëvizje e re në xhaminë e tij, prandaj dhe iu afrua personit që qëndronte pranë dhe e pyeti:”Kush është ai atje që jep mësim?”
Personi i tha:”A nuk e njeh? Është Ebu Jusufi!”
Ebu Hanife pyeti:”Po a qenka shëruar?!”
Personi iu përgjigj:”Mesa duket, po.”
Ebu Hanife pyeti:”Po përse nuk vjen në mësimin tonë?”
Personi iu përgjigj:”Mesa duket i kanë treguar mbi konsideratën tënde dhe i ka hyrë vetja në qejf. Kështu ka vajtur dhe ka nisur të japë mësim.”
Ebu Hanife u mendua pak dhe tha:”Do që ti tregojmë shkopin! Epo mirë!”
Mandej Ebu Hanife u drejtua nga njëri nga studentët e tij të ulur dhe pasi i kërkoi të afrohej i tha:”Shko tek mësimi i Ebu Jusufit dhe bëji këtë pyetje:”Një njeri shkoi tek rrobaqepësi (Ebu Jusufi kishte punuar si rrobaqepës më parë) dhe i kërkoi t’i shkurtojë rrobën e tij kundrejt një dërhemi. Ditën e dytë, klienti vajti tek rrobaqepësi dhe i kërkoi rrobën, por rrobaqepësi i tha që do e ketë të gatshme ditën e nesërme. Ditën tjetër, rrobaqepësi e mohoi se i ka marrë rrobë për t’ia shkurtuar. Një ditë më vonë, klienti kalon pranë dyqanit të rrobaqepësit dhe shikon rrobën e tij të shkurtuar tashmë. I zënë ngushtë, rrobaqepësi ia jep rrobën e tij.”
Ebu Hanifeja i thotë:”Pasi ti tregosh këtë, pyete Ebu Jusufin nëse rrobaqepësi e meriton shpërblimin për shkurtimin e rrobës apo jo. Nëse të thotë “Po e meriton” i thuaj që ke gabuar. Nëse të thotë “Jo” i thuaj që përsëri ke gabuar.”
Pasi personi vajti tek Ebu Jusufi dhe i bëri pyetjen, Ebu Jusufi u mendua dhe tha:”Po, rrobaqepësit duhet t’i jepet shpërblimi i punës.” Menjëherë personi ndërhyri dhe i tha:”Ke gabuar!”
Ebu Jusufi u ndje në siklet, pasi që ditën e parë po i bënin pyetje të vështira dhe po e kundërshtonin në përgjigjet që jepte. Ai u mendua pak dhe tha:”Jo, nuk e meriton.”
Por përsëri personi i tha:”Ke gabuar!”
Ebu Jusufi u skuq në fytyrë dhe duke iu afruar personit në fjalë, i tha:”Pash Zotin kush të dërgoi tek unë?!”
Duke qeshur, ai i bëri me shenjë Ebu Hanifen.
Ebu Hanifeja, me ta parë që po vjen Ebu Jusufi, nuk pranoi që t’a sikletosë para të gjithë njerëzve dhe nxënëse të tjerë, por u ngrit dhe e takoi veças.
Pasi u takua me të, Ebu Jusufi i tha:”Mësues, më trego përgjigjen e asaj meseles!”
Ebu Hanife e pyeti:”Cilës mesele?”
Ebu Jusuf i tha:”Atë që e di ti!”
Ebu Hanife i tha:”Atë të rrobaqepësit?”
Ebu Jusuf:”Po, pikërisht.”
Ebu Hanifeja, duke qeshur i tha:”Një i ditur që ulet të japë mësim në xhami dhe nuk mundet t’i përgjigjet një pyetjeje mbi qiramarrjet?!”
Ebu Jusufi i tha:”Ma trego o Ebu Hanife!”
Ebu Hanifeja i tha:” O Ebu Jusuf! Nëse rrobaqepësi e ka shkurtuar rrobën sipas masës që i dërgoi klienti e meriton shpërblimin e punës. Por nëse e ka shkurtuar rrobën sipas masës së tij nuk merriton asgjë.”
Më pas, e pa me dashamirësi dhe i tha:”O Ebu Jusuf! Kush mendon se mund të mjaftohet me punën e tij pa ndihmën e të tjerëve, le të vajtojë veten e tij.”
Përktheu: prof. Elmaz Fida

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *