KEMI NEVOJË PËR MËSUES TË GJALLË, JO PËR KËSHILLA TË VDEKURA

HomeLigjërata dhe shkrimeHoxhë Ensar Sinani

KEMI NEVOJË PËR MËSUES TË GJALLË, JO PËR KËSHILLA TË VDEKURA

Fjalët dinë të jenë të magjishme. Efekti që ato kanë tek njerëzit është i pamohueshëm, një fjalë e mirë di të ngjallë një zemër, të mbjellë farën

Ne vijmë.., ne edhe shkojmë..!
Shejh Selim Mesuti, Shqiptar
SI T’IA BËSH TË DASHUR NAMAZIN FËMIJËS TËND ?

Fjalët dinë të jenë të magjishme. Efekti që ato kanë tek njerëzit është i pamohueshëm, një fjalë e mirë di të ngjallë një zemër, të mbjellë farën e një peme të bukur, ashtu siç një fjalë e keqe di të mbysë një zemër, të fikë ëndrra, të shuajë shpresa, të vrasë më shumë se çdo armë tjetër.
Por, sado që teorikisht fuqia mirëndjellëse dhe ajo keqndjellëse e fjalëve duket apo duhet të jetë e njëjtë dhe të jap rezultate të barabarta edhe në rastet kur me fjalën synohet të ndillet a të nxitet një vepër e mirë edhe në rastet kur me të synohet të ndillet një vepër e keqe, realiteti sikur dëshmon diçka tjetër, kam përshtypjen se zemrat tona, sot, janë më të hapura dhe më “mikpritëse” ndaj energjisë negative të fjalëve, sikur mjafton një fjalë e vetme qëllimkeqe për të mposhtur me qindra e mijëra të tjera, që përgëzojnë dhe nxisin për të mirë, përderisa në anën tjetër, me qindra e mijëra fjalë të mira s’mjaftojnë dot për të nxitur shpirtrat tanë drejt së mirës dhe fisnikes.
Më shumë se kurrë, sot, kemi mundësinë të dëgjojmë këshilla, vaze, nasihate, programe të veçanta të organizuara nëpër xhami, tribuna një pas një, emisione të ndryshme nëpër media, platforma të tëra thirrjeje në internet, në rrjetet sociale, në të gjitha format dhe llojet, këshilla të shkruara, këshilla të inçizuara e të drejtpërdrejta, audio e video, por, si për ironi njerëzit më shumë se kurrë i tërheq amorali, e keqja, shthurja, mëkati…Ushtarë të shumtë që u bashkëngjiten ushtrive të së keqes edhe pa u ftuar dhe radhë të zbrazëta në ushtrinë e së mirës edhe pse thirrjet trumbetojnë nga çdo anë.
Por, më shumë se sa ta gjejmë shkakun përse njerëzit i tërheq e keqja dhe i përgjigjen asaj, na intereson ta gjejmë shkakun përse nuk i përgjigjen të mirës dhe nuk tërhiqen nga ajo. Këtë përgjigje, më mirë dhe më parë se çdokush tjetër, mund të na japë mësuesi ynë i madh, i papërsëritshmi, ai që me dritën e fjalëve që përcillte e ndryshoi rrjedhën e historisë, që nga njerëz të thjeshtë ndërtoi legjenda të pavdekshme, Pejgamberi ynë, Muhammedi s.a.v.s., ai, fjalët e të cilit gjithmonë gjenin zemra të hapura për t’i pranuar dhe vënë në jetë aty për aty. Po e zbuluam shkakun se përse njerëzit i përgjigjeshin thirrjes së tij, do ta zbulojmë edhe shkakun se përse nuk na përgjigjen neve, është kaq thjeshtë.
E sekretin, se përse njerëzit i përgjigjeshin thirrjes së tij na zbulon Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut…” (El-Ahzab:21). Pra, sekreti i tij fshihet në faktin se ai, ishte zbatuesi i parë i asaj që e thoshte, ai ishte modeli dhe mostra e parë e jetësimit të asaj që e predikonte, ai pra, ishte mësues i gjallë, jo këshillë e vdekur, jo fjalë e thatë. Jo më kot, përshkrimi më i bukur që gjetën për të sahabët e ndershëm ishte se ai ishte “një Kur’an i gjallë që ecte mbi tokë”.
Përcillet një ngjarje që i ka ndodhur pejgamberit s.a.v.s të cilën e shënon Imam Buhariu rreth së cilës kam menduar gjatë kohë, që kur e kam dëgjuar së pari vite më parë dhe kjo ngjarje sa herë e kujtoj, më bën të besoj fuqishëm se një nga faktorët kyç që fjalëve të Pejgamberit a.s. ua ka dhënë fuqinë e pakthyeshme të ndikimit është fakti se ai ishte shembulli i gjallë i fjalëve të tij. Në atë që njihet në histori si marrëveshja e Hudejbijes, që ndodhi në vitin 6 të Hixhretit Pejgamberi a.s. pranoi të heqë dorë nga umreja dhe hyrja në Mekë edhe pse kishte forcën e mjaftueshme që të mos i bindej kërkesës së mushkrikëve mekasë, të cilët po e ndalonin të hyjë në qytet, vendim ky, që sahabëve iu duk shumë i paarsyeshëm apo i pakuptueshëm. Prandaj, kur Pejgamberi a.s. doli dhe i urdhëroi që të therin kurbanet, të rruajnë flokët e të kthehen prapa në Medine, askush nuk iu bind urdhrit të tij, ai e përsëriti tri herë urdhrin, por sërish askush nuk iu përgjigj. I mërzitur tejmase nga ajo që po shihte dhe, i frikësuar se mos Allahu xh.sh. do t’i dënonte për mosbindje ndaj Pejgamberit, këtë shqetësim ia shpalosi gruas së tij, nënës së besimtarëve, Ummi Selemes r.a., e cila e këshilloi duke i thënë: Bëje ti i pari, ja Resullallah, dil dhe pa i thënë kujt asnjë fjalë preje kurbanin, pastaj thirre berberin të t’i rruaj flokët, e kur të të shohin ty duke e bërë, të gjithë do të binden dhe vërtetë kështu ndodhi.
Ajo që më kë tërhequr vëmendjen në këtë histori është fakti se ndodhi njëherë që edhe fjalët e ndershme të Pejgamberit a.s. të refuzohen, saqë sahabët nuk iu bindën atij, derisa nuk e panë atë vetë duke e zbatuar i pari atë që kërkonte prej tyre. Pra, ishte vepra, ajo që i bëri fjalët e tij të keni efektin e pritur, vetëm pasi e panë në vepër – të gjallë, atë që dëgjonin, ata iu bindën asaj, ose ndryshe thënë, edhe vet Pejgamberit a.s. nuk i mjaftuan vetëm fjalët që t’i bëjë njerëzit t’i binden urdhrit të tij, me gjithë faktin që Allahu xh.sh. i kishte urdhëruar që në çdo rrethanë t’u binden urdhrave të tij. “Çfarëdo që t’ju japë (urdhërojë) i Dëgruari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj!” (El-Hashr: 7)
Po, përse vallë atëherë vepruan kështu sahabët, a e kundërshtuan me vetëdije urdhrin e Pejgamberit a.s.?!
Ata e dinin më mirë se çdokush tjetër se ishin të obliguar t’i binden atij dhe madje ishin shembulli më i bukur i nënshtrimit, por ata, në këtë rast dëshmuan se njeriu është i krijuar i tillë që, për t’iu bindur fjalëve do t’i shohë ato të gjalla, të personifikuara para syve të tij në formë të veprave dhe prandaj sahabët për një çast të vetëm harruan se urdhrat e Pejgamberit a.s. ishin ndryshe, ishin hyjnore e përplot urtësi, sado që ata s’mund ta kuptonin këtë urtësi, pra, ata i mundi për një çast natyra njerëzore që ta na japë neve mësimin më të bukur, se fjala pa vepër është e thatë, e vdekur, e pashpirt, e pandikim, saqë ndodhi dikur që njerëzit më të bindur të historisë nuk iu bindën vetë Pejgamberit a.s. kur ai iu foli atyre vetëm me fjalë, pa vepra.
A thua mbetet, pas kësaj që thamë, hapësirë për të shpresuar se fjalët tona do të gjejnë vend dhe do të jetësohen pa i jetësuar vetë ne të parët ato, pa qenë vetë ne shembull i gjallë i tyre?!
Është koha që ta kuptojmë këtë ligj të palëkundshëm, po deshëm vërtetë ta përcjellim mesazhin e Allahut xh.sh. dhe Pejgamberit a.s. tek njerëzit. Dikur kam lexuar nga profesor Nexhat Ibrahimi një shkrim shumë të bukur që trajtonte mu këtë temë dhe më ka mbetur në kujtesë titulli i tij, një titull që e përmbledh në pak fjalë të gjithë këtë që u mundova ta them. Një grusht fjalësh që e imponojnë veten si ligj mbi thirrjen tonë : “Kemi nevojë për mësues të gjallë, jo për libra të vdekura!!!”.

Ensar Sinani
E mërkurë, 30.03.2016 – Kajro

COMMENTS