Alija Izetbegović: A po edukojmë muslimanë apo frikacakë?

HomeOpinioneAnaliza

Alija Izetbegović: A po edukojmë muslimanë apo frikacakë?

Kjo ese nga Alija Izetbegović është një thirrje për zgjim drejtuar prindërve muslimanë, mësuesve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë t’i shohin musl

A ka zbuluar Turqia rezerva të gazit natyror në Detin e Zi?
LIBANI BASTIONI I FUNDIT ISLAM(I . S . R . A . E . L.)
Kosova dhe projekti Bayraktar

Kjo ese nga Alija Izetbegović është një thirrje për zgjim drejtuar prindërve muslimanë, mësuesve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë t’i shohin muslimanët të çliruar nga nënshtrimi dhe shtypja.

Alija Izetbegović, tetor 1971

Kjo ese e shkurtër, e shkruar nga Presidenti i parë i Bosnjës dhe Hercegovinës së pavarur dhe një mendimtari të njohur musliman, është po aq e rëndësishëm sot sa ishte kur u botua për herë të parë. Edhe pse mban gjurmët e kohës së saj, në fillim të ringjalljes islame të shekullit 20 në Bosnje, flet për shumë probleme të vazhdueshme në arsimin islam. Nën sundimin komunist në Jugosllavi, ashtu si nën regjimet shtypëse në shumicën e vendeve muslimane sot, arsimi fetar, kurdo që ka qenë e lejuar, dukej sikur synonte idenë e bindjes ndaj autoriteteve. Si rrjedhojë, krijoi gjenerata muslimanësh të bindur, të nënshtruar dhe të paaftë për të ndryshuar kushtet e mjerueshme në të cilat shumica prej tyre jetonin dhe vazhdojnë të jetojnë edhe sot. Kjo ese është gjithashu një thirrje për zgjim drejtuar prindërve muslimanë, mësuesve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë t’i shohin muslimanët të çliruar nga shtypja.

E imagjinoj këtë artikull si një bisedë të shkurtër me prindërit dhe mësuesit tanë fetarë. Jo shumë kohë më parë, një miku im i ngushtë, i cili është një musliman i mirë dhe i përkushtuar, ka pas shkruar një artikull rreth arsimimit të të rinjve muslimanë. Kam pas lexuar artikullin e papërfunduar, por idetë e tij kryesore ishin shprehur tashmë. Duke këmbëngulur mbi edukim me frymën e besimit, miku im u bënte thirrje prindërve të ngulisnin te fëmijët e tyre karakteristikat e mirësisë, sjelljes së mirë, përulësisë, modestisë, dashamirësisë, faljes, pranimit të fatit, durimit, etj. Në shkrim shpeshherë bëhej thirrje për t’i mbrojtur fëmijët nga rruga, nga filmat perëndimorë, nga shtypi i padobishëm, nga sportet që stimulojnë agresivitetin dhe konkurrencën, etj. Fjala më e përdorur në artikullin e mikut tim ishte fjala bindje. Në shtëpi, një fëmijë duhet të jetë i bindur ndaj prindërve, në mekteb ndaj hoxhës, në shkollë ndaj mësuesit, në rrugë ndaj policit dhe në të ardhmen ndaj shefit të tij, drejtorit ose eprorit.

Për të ilustruar këtë “ideal”, autori përdorte shembullin e një djali që qëndron larg çdo gjëje të keqe, i cili kurrë nuk bën sherr në rrugë, i cili nuk shikon filma perëndimorë, nuk luan futboll, nuk mban flokë të gjata, nuk shoqërohet me vajza (prindërit e tij do ta martojnë atë “kur të vijë koha”). Djali kurrë nuk bërtet, zëri i tij nuk dëgjohet kurrë (“sikur mos të kishte fëmijë në shtëpi”), ai është mirënjohës dhe apologjetik kudo që shkon. Në fakt autori nuk e thotë këtë në mënyrë të drejtëpërdejtë, por megjithatë le të vazhdojmë: kur djalit i bëhet padrejtësi, ai hesht. Kur goditet, ai nuk ua kthehet me të njëjtën monedhë, por përkundrazi përpiqet t’i bindë të tjerët se “nuk është në rregull kjo lloj sjelljeje”. Me një fjalë, ai është tipiku i atyre që nuk do të “vrisnin dot as një mizë”.

Ndërsa lexoja këtë artikull, e kuptova plotësisht domethënien e shprehjes: “rruga për në ferr është e shtruar me nijet të pastër”. Jo vetëm kaq, por mendoj se kam kuptuar një nga shkaqet e rënies sonë këto shekujt e fundit: edukimi (i gabuar). Në fakt, për shekuj me radhë, si pasojë e keqkuptimit të natyrës së Islamit, ne e edukojmë rininë tonë gabimisht. Ndërsa armiku, i arsimuar dhe i pamëshirshëm, ka arritur t’i nënshtrojë vendet muslimane një nga një. Për sa kohë ne i mësojmë të rinjtë tanë të jenë të mirë, dhe “të mos dëmtojnë as edhe një mizë”, të pranojnë fatin e tyre, të jenë të bindur dhe t’i nënshtrohen çdo lloj sundimi sipas llogjikës “çdo udhëheqës është nga Zoti”.

Kjo filozofi mjerane e nënshtrimit, origjinën e vërtetë të së cilës nuk e di, por që nuk ka lidhje me Islamin, u shërben dy funksioneve që plotësojnë njëra-tjetrën në mënyrë të përsosur: nga njëra anë, i kthen të gjallët në të vdekur; nga ana tjetër, thekson idealet e gabuara në emër të besimit. Kjo lloj filozofie krijon njerëz të pasigurt në vetvete, të cilët persekutohen nga ndjenjat e vetëfajësisë dhe mëkatit. Gjithashtu, kjo filozofi bëhet tërheqëse për ato krijesa të dështuara që ikin nga realiteti dhe kërkojnë strehë në pasivitet dhe qetësi. Vetëm kështu mund të shpjegojmë faktin se edhe sot, gjatë epokës së ringjalljes, vetë bartësit e mendimit islam, ose ata që pretendojnë të jenë të tillë, vazhdojnë të humbasin betejat e tyre në çdo hap. Me duart e tyre të lidhura nga filozofia e ndalimeve dhe dilemave, njerëz të tillë, të cilët në përgjithësi janë me moral të lartë, përfundojnë të jenë inferiorë ose të paaftë në konflikt me armiqtë më pak të drejtë, më pak të kulturuar, por të vendosur dhe që dinë se çfarë duan dhe të cilët nuk kursehen aspak për mjetet që përdorin për të arritur qëllimet e tyre.

Ku ka më mirë se sa muslimanët të drejtohen nga udhëheqës të arsimuar dhe të frymëzuar nga mendimi islam? Por këta liderë nuk po kanë sukses për një arsye të thjeshtë: janë edukuar që të mos udhëheqin, por të udhëhiqen. Çfarë mund të jetë më pranë natyrshmërisë së muslimanëve, që në tokat e tyre, të jenë udhëheqës të revoltës kundër sundimit të të huajve dhe ideve të tyre, e dhunës së tyre politike dhe ekonomike? Megjithatë, nuk mund ta bëjnë këtë, përsëri për të njëjtën arsye; nuk janë mësuar ta ngrenë zërin, por të binden. Ne kemi arsimuar (dhe po arsimojmë) jo muslimanë por frikacakë, gati shërbëtorë. Në një botë që është e mbushur me vese, skllavëri dhe padrejtësi, ta mësosh rininë të abstenojnë, të jetë pasive e të jetë e bindur, a nuk quhet bashkëpunim në nënshtrim dhe shtypje të popullit të vet?

Kjo çështje për të cilën po flasim duhet parë nga disa aspekte. Një nga këto është historia e ripërsëritur mbi të kaluarën e artë. Rinisë sonë nuk u mësohet se si duhet të jetë gjendja e muslimanëve por se si ka qenë më parë. Të gjitthë dijnë për Alhambrën dhe pushtimet e vjetra, për qytetin e “një mijë e një netëve”, për bibliotekat në Samarkand dhe Kordoba. Shpirti i tyre është gjithmonë i orientuar drejt së kaluarës së lavdishme dhe fillojnë të fantazojnë rreth saj. E kaluara është e rëndësishme, sigurisht, por është shumë më e dobishme të riparosh çatinë e konsumuar të një xhamie të thjeshtë në rrugën e vet, sesa të numërosh të gjitha xhamitë e bukura që ishin ndërtuar nga paraardhësit tanë të shquar. Duket sikur do të ishte më mirë të digjej gjithë ajo histori e lavdishme për të evituar që të shndërrohet në një strehë për psherëtima dhe për të jetuar me kujtime.

Do të ishte më mirë të shkatërroheshin të gjitha ato monumente nëse ky do të ishte një parakusht për të kuptuar përfundimisht se nuk mund të jetojmë në të kaluarën dhe se kërkohet që të bëjmë diçka për të tashmen tonë. Në mënyrë paradoksale, kjo pedagogji fatale e nënshtrimit dhe mungesës së rezistencës i referohet Kur’anit, ku përkundrazi, parimet e luftës dhe rezistencës janë përmendur të paktën pesëdhjetë herë. Si kod, Kur’ani e anulloi nënshtrimin. Në vend të nënshtrimit ndaj autoriteteve dhe madhështive të shumta të rreme, Kur’ani vendosi vetëm një bindje: atë ndaj Zotit. Mbi këtë bindje ndaj Zotit, Kur’ani ndërtoi lirinë e njeriut, çlirimin e njeriut nga të gjitha format e tjera të nënshtrimit dhe frikës.

Atëherë, si mund t’i këshillojmë prindërit dhe mësuesit tanë?

Më shumë se gjithçka tjetër, duhet t’iu themi që të mos e shuajnë energjinë tek të rinjtë. Përkundrazi, le t’i nxisim që të drejtohen dhe të formësohen nga këto energji të moshës. Eunuku që ata krijuan përmes edukimit të tyre nuk është prej islamit, dhe nuk ka ndonjë mënyrë për ta drejtuar një të vdekur në islam. Për të edukuar një musliman, le të edukojmë njerëz, me gjithë kuptimin e fjalës dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse. Lërini mësuesit të flasin me rininë për krenarinë në vend të përulësisë, për guximin në vend të bindjes, për drejtësinë në vend të dashamirësisë. Le të rrisin një brez dinjitoz që s’ka nevojë të kërkojë leje nga askush për të jetuar dhe të jetë ai që është. Dhe mos të harrojmë: përparimi i Islamit, ashtu si çdo përparim tjetër, nuk do të vijë nga njerëzit e thjeshtë dhe të nënshtruar, por nga kurajozët dhe rebelët.

COMMENTS